MINI CHAT
Get your own Chat Box! Go Large!

Kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, karikon grupin për transfertën e vështirë në Laç
Korçarët e kanë lënë qysh dje qytetin e tyre, pasi sot do të luajnë transfertën e parë të fazës së dytë në Laç. Një ndeshje tjetër e vështirë për kuqebardhët, që deri tani nuk kanë mundur të marrin qoftë edhe një pikë sa herë që kanë luajtur jashtë shtëpisë së tyre. Dje paradite, trajneri Haxhiu u ka dhënë edhe dorën e fundit të tijve në një seancë të lehtë stërvitore, që është zhvilluar në tapetin e stadiumit “Skënderbeu”, ndërkohë që menjëherë skuadra është nisur drejt Durrësit, atje ku ka kaluar edhe mbrëmjen. Asnjë mungesë për Skënderbeun në këtë takim, çka do të thotë se për herë të parë në këtë superligë korçarët do të rreshtojnë në fushë formacionin e tyre më të mirë. I vetmi dyshim është ai i lezhjanit Lika, që nuk dihet nëse do ta nisë që nga minuta e parë, apo do ta fillojë lojnë nga stoli. Për sa u përket të tjerëve, të gjithë janë në gjendjen e tyre më të mirë, ndërkohë që në Laç, njëshi i pankinës korçare ka menduar të rreshtojë një skuadër sulmuese, duke kërkuar të marrë patjetër një rezultat pozitiv. Ka plot 70 ditë që skuadra juglindore nuk fiton një ndeshje në këtë ligë superiore dhe fitorja e fundit daton më 19 shtator, kur në javën e katërt Skënderbeu do të shënonte fitoren e fundit 4 1 ndaj Gramozit. Për Haxhiun dhe të tijtë, ka ardhur momenti që skuadra t’i bëjë një start sa më të mbarë fazës së dytë. Dje, një ditë para ndeshjes së sotme, ka qenë kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, që karikon të tijtë, teksa deklaron se Skënderbeu ka futbollistë profesionistë, që do të dinë të bëjnë edhe kthesën e ndeshjeve jashtë fushës së tyre. “Ka ardhur momenti i pikëve jashtë shtëpisë sonë dhe në Laç kemi shansin më të mirë për të bërë realitet diçka të tillë. Në ndeshjen e parë të fazës së parë në fushën tonë ndaj Laçit debutuam me një fitore, kështu që, pse jo, të mos debutojmë edhe në këtë fazë të dytë me një rezultat të tillë. Nuk do të jemi aspak inferiorë ndaj laçianëve, edhe pse luajmë në shtëpinë e tyre. Ditët e këqija për Skënderbeun kanë marrë fund dhe mendoj se do të fillojë një epokë e re për Skënderbeun, pas gjithë atyre rezultateve jo fort të mira që kemi shënuar në javët e fundit. Pa dyshim që shpresojmë që në këtë 90-minutësh të kemi edhe fatin me vete, fat i cili nuk ka qenë me ne në ndeshjet e fazës së parë sa herë që kemi luajtur në transfertë. Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë shokëve të skuadrës që të japin më të mirën në fushën e lojës nesër (sot) në Laç. Nëse do të zbatojmë detyrat që na ka dhënë trajneri, jam i bindur se do të dalim me pikë nga kjo ndeshje,” ka përfunduar kapiteni Shkëmbi, që deri tani ka qenë pa diskutim lideri kryesor i këtij ekipi.